10. Këta janë komandantët e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit dhe që i dhanë përkrahje të madhe me gjithë Izraelin në mbretërinë e tij për ta bërë mbret sipas fjalës të Zotit lidhur me Izraelin.
11. Kjo është lista e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit: Jashobeami, bir i një Hakmoniti, komandant i tridhjetë kapedanëve; ai rroku ushtën kundër treqind njerëzve, që i vrau në një ndeshje të vetme.
12. Mbas tij vinte Eleazari, bir i Dodos, ahohitit; ishte një nga tre luftëtarët trima.
13. Ai ishte me Davidin në Pas-Damim, ku ishin mbledhur filistenjtë për të luftuar dhe ku kishte një arë plotë me elb. Populli iku me vrap përpara filistenjve,
14. por ata u vendosën në mes të arës, e mbrojtën dhe i mundën filistenjtë; kështu Zoti realizoi fitore të madhe.
15. Tre nga të treqind kapedanët zbritën te shkëmbi drejt Davidit, në shpellën e Adulamit, ndërsa ushtria e filistenjve kishte fushuar në luginën e Refaimit.
16. Davidi ndodhej atëherë në kala, kurse në Betlem kishte një garnizon filistenjsh.
17. Davidi pati një dëshirë të madhe dhe tha: "Ah, sikur dikush të më jepte të pija ujë nga pusi i Betlemit që është pranë portës!".
18. Kështu këta të tre çanë nëpër kampin e filistenjve dhe mbushën ujë nga pusi i Betlemit që ndodhej te porta; pastaj e morën dhe ia çuan Davidit. Por Davidi nuk desh ta pinte, por e derdhi si libacion përpara Zotit,
19. duke thënë: "Të më ruajë Perëndia nga kryerja e një gjëje të tillë! A mund ta pi unë gjakun e këtyre njerëzve, që kanë rrezikuar jetën e tyre? Sepse e kanë sjellë duke rrezikuar jetën e tyre". Dhe nuk deshi ta pinte. Kështu vepruan këta tre trima.
20. Abishai, vëllai i Joabit, ishte i pari i tre të tjerëve. Ai drejtoi ushtën e tij kundër treqind njerëzve dhe i vrau; kështu u bë i famshëm midis të treve.
21. U bë më i njohur midis të treve dhe për këtë arsye u bë i pari i tyre, por nuk arriti të barazohet me tre të parët.
22. Benajahu, bir i Jehojadit, birit të një trimi nga Kabtseeli, bëri trimëri të madhe. Ai vrau dy heronjtë e Moabit, që ishin si luanë. Zbriti edhe në mes të një sterne, ku vrau një luan një ditë që binte borë.
23. Vrau edhe një egjiptas vigan, i lartë pesë kubitë, që kishte në dorë një shtizë të ngjashme me shulin e një endësi; por Benajahu i doli kundra me një bastun, i rrëmbeu me forcë nga duart egjiptasit shtizën dhe e vrau me shtizën e tij.
24. Këto gjëra bëri Benajahu, bir i Jehojadit, dhe u bë i famshëm midis tre trimave.
25. Ishte më i shquari i të tridhjetëve, por nuk arriti të barazohet me tre të parët. Davidi e vuri në krye të rojeve të tij personale.