1. Atëherë tërë Izraeli u mblodh rreth Davidit në Hebron dhe i tha: "Ja, ne jemi kocka dhe mishi yt".
2. Edhe në të kaluarën, kur ishte mbret Sauli, ti ishe ai që udhëhiqte dhe kthente pas Izraelin; dhe Zoti, Perëndia yt, të pati thënë: "Ti do të ushqesh popullin tim të Izraelit, ti do të jesh princ mbi popullin tim të Izraelit"".
3. Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron, dhe Davidi lidhi me ta një aleancë në Hebron përpara Zotit; pastaj ata e vajosën Davidin mbret të Izraelit, sipas fjalës së shqiptuar nga Zoti me anë të Samuelit.
4. Davidi së bashku me tërë Izraelin doli kundër Jeruzalemit, që është Jebusi, ku ndodheshin jebusenjtë, banorë të vendit.
5. Atëherë banorët e Jebusit i thanë Davidit: "Nuk do të hysh këtu". Por Davidi pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit, që është qyteti i Davidit.
6. Davidi kishte thënë: "Ai që do t'i mundë i pari jebusenjtë do të bëhet kryetar dhe princ". Doli i pari Joabi, bir i Tserujahut, që u bë kështu kryetar.
7. Davidi u vendos pastaj në kalanë që u quajt për këtë arsye "qyteti i Davidit".
8. Pastaj ai bëri ndërtime përreth qytetit nga Milo dhe në gjithë perimetrin e tij; Joabi meremetoi pjesën tjetër të qytetit.
9. Kështu Davidi bëhej gjithnjë e më i madh dhe Zoti i ushtrive ishte me të.
10. Këta janë komandantët e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit dhe që i dhanë përkrahje të madhe me gjithë Izraelin në mbretërinë e tij për ta bërë mbret sipas fjalës të Zotit lidhur me Izraelin.
11. Kjo është lista e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit: Jashobeami, bir i një Hakmoniti, komandant i tridhjetë kapedanëve; ai rroku ushtën kundër treqind njerëzve, që i vrau në një ndeshje të vetme.
12. Mbas tij vinte Eleazari, bir i Dodos, ahohitit; ishte një nga tre luftëtarët trima.
13. Ai ishte me Davidin në Pas-Damim, ku ishin mbledhur filistenjtë për të luftuar dhe ku kishte një arë plotë me elb. Populli iku me vrap përpara filistenjve,
14. por ata u vendosën në mes të arës, e mbrojtën dhe i mundën filistenjtë; kështu Zoti realizoi fitore të madhe.
15. Tre nga të treqind kapedanët zbritën te shkëmbi drejt Davidit, në shpellën e Adulamit, ndërsa ushtria e filistenjve kishte fushuar në luginën e Refaimit.
16. Davidi ndodhej atëherë në kala, kurse në Betlem kishte një garnizon filistenjsh.