1 e Korintasve 7:21-33 Bibla Shqip (ALBB)

21. A je thirrur kur ishe skllav? Mos u pikëllo; por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë ta bësh këtë.

22. Sepse ai që është thirrur në Zotin kur ishte skllav, është i liruari i Zotit; po ashtu ai që është thirrur kur ishte i liruar, është skllav i Krishtit.

23. Ju jeni blerë me një çmim, mos u bëni skllevër të njerëzve.

24. Vëllezër, secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur.

25. Por për sa u takon virgjëreshave, s'kam urdhër nga Zoti, por po jap një mendim si njeri që kam fituar mëshirën e Zotit për të qenë i besueshëm.

26. Mendoj se është mirë për njeriun të jetë kështu siç është, për shkak të ngushticës së tanishme.

27. Je i lidhur me një grua? Mos kërko të zgjidhesh. Je i zgjidhur nga gruaja? Mos kërko grua.

28. Por, edhe në qoftë se martohesh, ti nuk mëkaton; edhe nëse një virgjëreshë martohet, nuk mëkaton; por këta do të kenë shtrëngim në mish; dhe unë dëshiroj t'ju kursej juve.

29. Dhe po ju them këtë, o vëllezër, se koha tanimë është shkurtuar; kështu tash e tutje edhe ata që kanë gra të jenë si ata që nuk kanë;

30. dhe ata që qajnë, sikurse të mos qanin; dhe ata që gëzohen, sikurse të mos gëzoheshin; dhe ata që blejnë, sikur të mos kishin gjë në zotërim;

31. dhe ata që përdorin nga kjo botë, sikur të mos e përdornin, sepse forma e kësaj bote po kalon.

32. Dhe unë dëshiroj që ju të jeni pa merak. I pamartuari merakoset për gjërat e Zotit, si mund t'i pëlqejë Zotit;

33. por i martuari merakoset për gjërat e botës, si mund t'i pëlqejë gruas së tij.

1 e Korintasve 7