1. Kërkoni dashurinë dhe lypni me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore, por sidomos që të mund të profetizoni,
2. sepse ai që flet një gjuhë tjetër nuk u flet njerëzve, por Perëndisë; sepse askush nuk e kupton, por ai në frymë flet mistere.
3. Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim, për nxitje e përdëllim.
4. Ai që flet një gjuhë tjetër ndërton veten e tij, por ai që profetizon, ndërton kishën.
5. Unë dua që të gjithë ju të flisnit gjuhë, por më tepër të profetizonit, sepse ai që profetizon është më i madh nga ai që flet gjuhë, veçse në interpretoftë, që të marrë ndërtim kisha.
6. Dhe tani, o vëllezër, po të vija e t'ju flisja në gjuhë, ç'dobi do të kishit, po të mos ju flisja me anë të zbulesës, a me njohuri, a me profeci, a me mësim?
7. Edhe gjërat që nuk kanë shpirt dhe nxjerrin zë, fyelli ose qestja, po të mos japin zë të dallueshëm, si do të njihet të rënit e fyellit ose e qestes?
8. Sepse, po të japë buria një tingull të panjohur, kush do të përgatitet për betejë?
9. Kështu edhe ju, në qoftë se me gjuhën tuaj nuk flisni fjalë të kuptueshme, si do të kuptohet çfarë u tha? Sepse do të flisnit në erë.
10. Ka nuk e di se sa lloje zërash në botë, dhe asnjë prej tyre nuk është pa kuptim.
11. Pra, në qoftë se unë nuk e marr vesh kuptimin e zërit, do të jem si një i huaj për atë që flet, dhe ai që flet do të jetë një i huaj për mua.